TEMA

Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë “Fokus Award”, prej 13 edicionesh sjell për publikun fotografinë autoriale bashkëkohore bazuar në një arketip ku koncepti, ideja, tema – bazuar në njësinë tezë kuratoriale – janë baza e përzgjedhjes së imazheve. Një paradigmë tashmë e përmbysur kjo – jemi fiks në momentin e kalimit nga epoka ku dukej sikur “fotokamera nuk gënjente kurrë” në atë ku imazhet – edhe realiste mund të krijohen pa përdorimin e një aparati fotografik. Duket ironike edhe shprehja e Diane Arbus se “ka gjëra të cilat është e pamundur të shikohen përpara se ajo t’i fotografonte”. Gjërat kanë ndryshuar, – këndonte hidhesisht Bob Dylan dhe ne nuk duam aspak ta fshehim këtë gjë, përkundrazi, duam t’i dedikojmë temën kryesore të festivalit. Nuk është një sfidë mes nesh dhe makinës – “Fokus Award” me fotografitë tuaja kërkon të bëhet manifest i një rezistence artistike e cila e kapërcen këtë ndryshim duke e vënë në dyshim këtë destruktivitet të imazhit fotografik. Duam të sillni fotografi të cilat jo vetëm shfaqin vizionin tuaj mbi këtë ndryshim epokal por njëkohësisht rivendosin në botën e imazhit një hierarki, në majë të së cilës qëndron mendimi dhe inteligjenca njerëzore, nuhajtja dhe ndjeshmëria e fotografit. I cili duhet të vazhdojë ndërkohë që të tregojë botën dhe konditat e njerëzimit në mënyrë të përgjegjshme, të ekuilibruar, pra me autoritetin e tij, si artist.
Fituesi do të shperblehet si çdo vit me 1000 EURO. Çmimet e gjashtë kategorive të tjera do të jenë honorifike dhe të shoqëruara me trofeun përkatës.
Fotografitë duhet të jenë bërë në periudhen kohore 2021 – 2023. Janë të pranueshme përmirësimet e mëposhtme të fotografisë:
- Prerja, ndryshimet e kontrastit dhe ekspozimit, korrigjimi i ngjyrave, desaturimi.
- Nuk janë të pranueshme: Importimi i elementeve nga fotografi të tjera, klonimi dhe fshirja e pjesëve të fotografisë, ose përdorimi i ndonjë teknike tjetër që nuk përmendet në listën e ndërhyrjeve të lejuara.
- Jane te ndaluara fotografite e krijuara nga inteligjenca artificiale